Zjarr masiv pranë autostradës, tymi i dendur vështirëson qarkullimin
- 5 hours ago
- 1 min read
Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë pasditen e së dielës zonën e Koxhasit në Shijak, ku flakët janë përhapur me shpejtësi të madhe, të favorizuara nga era e fortë.
Shtëllunga të dendura tymi kanë mbuluar një sipërfaqe të gjerë dhe janë bërë të dukshme edhe përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve dhe duke ulur ndjeshëm shikueshmërinë për drejtuesit e mjeteve.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse të Shijakut, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së tyre në zona të tjera.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri dyshohet se ka nisur nga djegia e mbeturinave, por për shkak të erës së fortë flakët dolën shpejt jashtë kontrollit dhe përfshinë sipërfaqe të konsiderueshme.
Autoritetet vijojnë ndërhyrjen për neutralizimin e plotë të vatrës së zjarrit, ndërsa po hetojnë edhe shkaqet që çuan në shpërthimin e tij.
“KORÇA BOOM”
















