Zjarr pranë nënstacionit 400 kV shmanget rreziku në momentet e fundit
- 15 hours ago
- 1 min read
Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë pasditen e së mërkurës një parcelë me ullinj pranë nënstacionit 400 kV Elbasan–Mjekës–Cërrujë–Gramsh, duke shkaktuar shqetësim për shkak të afërsisë me një nga infrastrukturat më të rëndësishme energjetike në zonë.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer rreth 100 metra larg nënstacionit, duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj, ndërsa tymi i dendur është përhapur në të gjithë zonën.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse dhe strukturat përgjegjëse, të cilat kanë ndërhyrë me shpejtësi për të izoluar vatrën e zjarrit. Falë reagimit në kohë, flakët janë shuar plotësisht, duke parandaluar përhapjen e tyre drejt sipërfaqeve të tjera dhe çdo rrezik për nënstacionin elektrik.
Shkaqet e zjarrit nuk janë bërë ende të ditura. Autoritetet pritet të nisin hetimet për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi incidentin, ndërsa do të vlerësohen edhe dëmet e shkaktuara nga flakët.
“KORÇA BOOM”













