Zjarri del jashtë kontrollit, flakët kalojnë rrugën nacionale dhe u afrohen banesave
- 6 hours ago
- 1 min read
Një situatë tepër kritike është krijuar si pasojë e një zjarri të përmasave të mëdha, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi dhe po kërcënojnë banesat e banorëve të zonës.
Sipas raportimeve, zjarri ka kaluar rrugën nacionale Fier-Levan dhe po avancon me shpejtësi në drejtim të fshatit Peshtan i Vogël. Era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, duke e bërë edhe më të vështirë situatën.
Banorët, të alarmuar nga afrimi i zjarrit, kanë bërë thirrje për ndërhyrje urgjente, pasi flakët tashmë janë shumë pranë banesave.
Një e moshuar, shtëpia e së cilës është rrezikuar nga zjarri, ka treguar momentet e vështira që po përjeton.
“Nga t’ia mbaj? Në shtëpi me vete zjarri, këtej i kam njerëzit e mi, por janë larg. Jemi dhe të sëmurë. Djalin e kam të sëmurë, të paralizuar. Shyqyr na ndodhën këta djemtë, na nxorën. Shtëpia është shumë e rrezikuar”, është shprehur ajo.
Banorët vijojnë të kërkojnë ndihmë, ndërsa situata mbetet e rëndë për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe erës së fortë.
Frika më e madhe është që zjarri të përparojë drejt banesave dhe të rrezikojë jetën e banorëve, ndërsa pritet ndërhyrje e menjëhershme për të vënë nën kontroll flakët.
“KORÇA BOOM”
















