Çarje dhe rrëshqitje anësore në rrugën Maliq–Lozhan–Strelcë, shqetësim për sigurinë dhe cilësinë e punimeve
- Korca Boom
- 10 hours ago
- 1 min read
Rruga e re Maliq–Lozhan–Strelcë ka pësuar çarje anësore dhe rrëshqitje, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë dhe cilësinë e infrastrukturës rrugore në Shqipëri. Pamjet e fundit tregojnë dëmtime të konsiderueshme në segmentin rrugor dhe rrëshqitje të anësoreve, vetëm pak kohë pas inaugurimit të rrugës, çka rrit dyshimet mbi respektimin e standardeve të ndërtimit.
Situata kërkon ndërhyrje urgjente për të garantuar sigurinë e përdoruesve. Ky aks u promovua si një investim strategjik, pasi lidh qytetin e Maliqit me Gramshin dhe zonat përreth, duke krijuar një korridor të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe turistik të rajonit.
Segmenti i ri rrugor ka një gjatësi prej 18.8 kilometrash dhe konsiderohet hallkë kyçe për lidhjen e fshatrave të Qarkut Korçë me qendrat urbane. Rikonstruksioni u realizua me fonde të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, me një vlerë rreth 1.4 miliard lekë, dhe është ndërtuar nga kompania “Gjikuria”.
Shqetësimi i qytetarëve dhe përdoruesve të rrugës tani fokusohet te nevoja për riparime të shpejta dhe verifikime të standardeve të ndërtimit, për të shmangur rreziqe të mundshme.
"KORCA BOOM"



















