top of page

Çdo ditë deri në 15 raste të reja: Mjekët në Korçë ngrenë alarmin për rritjen dramatike të çrregullimeve mendore, veçanërisht te të rinjtë

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 5 days ago
  • 1 min read

Në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, mjekët specialistë në Korçë japin alarmin për një përkeqësim serioz të gjendjes psikologjike te popullata. Sipas të dhënave të qendrës së kujdesit të shëndetit mendor në qytet, çdo ditë nga 10 deri në 15 persona paraqiten për ndihmë, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitet e kaluara.


Ajo që i shqetëson më shumë profesionistët e shëndetit është ulja e moshës mesatare së individëve që kërkojnë ndihmë. Adoleshentët dhe të rinjtë përbëjnë sot një përqindje të lartë të pacientëve që përballen me çrregullime emocionale, ankth, depresion apo sjellje të papërshtatshme, të cilat shpesh nisin që në moshën e fëmijërisë.


Sipas mjekëve, faktorët ekonomikë dhe socialë luajnë një rol të rëndësishëm në këtë përkeqësim. Varfëria, papunësia, mungesa e perspektivës, emigracioni i prindërve dhe ndarjet familjare, së bashku me përdorimin e tepruar të teknologjisë dhe rrjeteve sociale, janë kthyer në burime të reja të stresit, ankthit dhe izolimit.


Në këtë ditë ndërkombëtare ndërgjegjësimi, mjekët apelojnë për ndërhyrje të hershme, edukim më të gjerë të shoqërisë për rëndësinë e shëndetit mendor dhe forcim të sistemit të mbështetjes psikologjike në komunitet.


"Shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa ai fizik. Një person që kërkon ndihmë psikologjike nuk është i dobët, por i guximshëm. Trajtimi në kohë shpëton jetë", thekson një prej mjekëve specialistë të qendrës në Korçë.

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page