Çështja e gjinisë së lojtares braziliane, FSHV: Transparencë e plotë, intimidime nga ekipi i Dinamo Volley
- Korca Boom
- 4 hours ago
- 2 min read
Polemikat rreth volejbollistes braziliane Nayara Ferreira, që aktivizohet me Dinamon në Superligën e volejbollit shqiptar, po marrin përmasa gjithnjë e më të mëdha. Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) ka vendosur ta pezullojë pa afat sportisten, pasi i është kërkuar të kryejë testin e gjinisë, në vijim të ankesave të ekipeve të Pogradecit dhe Vllaznisë, të cilat kanë shprehur dyshime në lidhje me identitetin e saj biologjik.
Si pasojë e pezullimit, Ferreira nuk ka luajtur në ndeshjet e fundit të kampionatit, duke krijuar një situatë të tensionuar brenda kampionatit shqiptar. Vetë volejbollistja 32-vjeçare, me një karrierë gati dydekadëshe në këtë sport, është shprehur publikisht e revoltuar, duke paralajmëruar se “ata që më kanë akuzuar do të pendohen”.
Në reagimin e saj zyrtar, FSHV njoftoi se po e ndjek me vëmendje rastin dhe ka bërë të ditur se disponon të gjithë dokumentacionin përkatës në lidhje me regjistrimin e lojtares.
“Federata Shqiptare e Volejbollit po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit që lidhen me znj. N.F. dhe është në pritje të përmbushjes së detyrimeve përkatëse ndaj komunitetit të volejbollit për zgjidhjen e këtij rasti,” – thuhet në deklaratë.
FSHV thekson se do të veprojë me transparencë të plotë, por njëkohësisht paralajmëron për mosshfrytëzimin e rastit për sulme personale apo shkelje të të drejtave të individit.
“Ky është një rast sportiv dhe duhet trajtuar si i tillë. Federata ka respektuar me përpikëri të gjitha procedurat ligjore dhe statutore, në bashkëpunim me KOKSh, FIVB dhe CEV,” vijon komunikata.
Ndërkohë, Bordi Drejtues i FSHV-së ka referuar në Komisionin e Disiplinës disa raste të deklaratave fyese dhe intimidimeve publike të bëra nga përfaqësues të Dinamo Volley në media dhe rrjete sociale.
Në fund, FSHV apelon për vetëpërmbajtje dhe respekt institucional, duke kujtuar se është organi përgjegjës për organizimin dhe mbarëvajtjen e volejbollit në vend dhe se do të vazhdojë të zbatojë me rreptësi të gjitha detyrimet ligjore dhe statutore.
“KORÇA BOOM”
















