top of page

28 vite burg për bandën shqiptare që menaxhonte drogën me telefon

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Aug 28, 2025
  • 1 min read

Gjashtë shtetas shqiptarë, pjesë e një grupi të organizuar kriminal nga Ballkani Perëndimor, janë dënuar me mbi 28 vite burg në total, pas një hetimi gjashtëmujor nga policia e Wiltshire në qytetin Swindon, Angli.


Hetimi zbuloi një rrjet të strukturuar si një call center, ku porositë e kokainës menaxhoheshin përmes një telefoni të koduar. Gjatë operacionit, u identifikuan banesa dhe automjete që përdoreshin për fshehjen dhe shpërndarjen e drogës.


Në qendër të grupit ishte Saimir Neziraj, 32 vjeç, i cili drejtonte aktivitetin duke organizuar blerjen, shpërndarjen dhe mbledhjen e parave. Edmir Beqiri ruante kokainën në Swindon, ndërsa Ardian Gjeta dhe Jorgo Brachousai kujdeseshin për shpërndarjen në rrugë.


Nertil Halili, 29 vjeç, menaxhonte telefonin e koduar Denzel, i përdorur për të marrë dhe koordinuar porositë. Ndërkohë, në Londrën Veriore, Ergys Abdyli, 26 vjeç, siguronte lëndën narkotike për rrjetin.


Gabimi që çoi në arrestimin e tyre ndodhi në mars 2024, kur policia vëzhgoi një takim mes Halilit dhe Nezirajt në West Bromwich. Më pas u organizuan bastisje të njëkohshme në Swindon, Derby dhe Londrën Veriore, ku u sekuestruan sasi të mëdha kokaine dhe para në dorë.


Të arrestuarit pranuan fajësinë dhe u dënuan si më poshtë:

Saimir Neziraj – 8 vite burg

Nertil Halili – 7 vite e 10 muaj burg

Edmir Beqiri – 3 vite e 8 muaj burg

Ergys Abdyli – 5 vite e 11 muaj burg

Ardian Gjeta – 2 vite e 1 muaj burg

Jorgo Brachousai – 16 muaj burg me kusht për dy vite


Ky rrjet u konsiderua nga autoritetet britanike si një ndër rastet më të strukturuara të shpërndarjes së drogës të menaxhuara nga grupe ballkanike në Angli.

“KORÇA BOOM”


bottom of page