top of page

3.6 miliardë lekë në pikëpyetje te Posta, dosja kalon në SPAK dhe del emri i deputetes

7 hours ago
2 min read

Auditimi financiar në filialin e Postës Shqiptare në Durrës ka zbuluar parregullsi të dyshuara në vlerën e rreth 3.6 miliardë lekëve, ku përfshihen edhe mungesa që lidhen me administrimin e pagesave të Hipotekës. Çështja tashmë i është referuar SPAK, ndërsa hetimet pritet të zbardhin përgjegjësitë dhe mënyrën se si janë administruar fondet.


Problemet në këtë filial nuk janë të reja. Që prej korrikut 2026, kontrollet financiare kishin evidentuar shkelje dhe parregullsi të konsiderueshme, të cilat u pasuan nga shkarkimi i drejtores së filialit dhe depozitimi i kallëzimeve penale. Por të dhënat e fundit sugjerojnë se përmasat e skandalit mund të jenë shumë më të mëdha nga sa ishte konstatuar fillimisht.


Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje të reja për dosjen, e cila tashmë është në duart e Prokurorisë së Posaçme. Sipas saj, në hetim është edhe roli i deputetes së Partisë Socialiste, Etleva Budini, e cila ka drejtuar filialin deri në mars të vitit 2025.


SPAK, krahas akuzës për vjedhje, ka shtuar edhe dyshimin për grup të strukturuar kriminal, pasi hetuesit dyshojnë se në skemë mund të jenë përfshirë disa persona, të cilët kanë vepruar në mënyrë të organizuar.


“Ka dyshime se nuk janë vetëm disa punonjës të thjeshtë, por edhe persona të tjerë të përfshirë dhe kanë vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal”, raportoi Klodiana Lala.


Transferimi i dosjes në SPAK u bë pasi Prokuroria e Durrësit vlerësoi se nuk ishte kompetente për vijimin e hetimeve, për shkak të dyshimeve për grup të strukturuar kriminal dhe përfshirjes së personave me imunitet parlamentar.


Në kuadër të hetimeve, më herët janë arrestuar ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës, Valbona Duni, si dhe arkëtarja Paola Dana.


Hetimet tashmë pritet të hedhin dritë mbi mënyrën se si janë zhdukur shumat e dyshuara, kush ka pasur dijeni për parregullsitë dhe nëse ka pasur një skemë të organizuar për administrimin e parave.

“KORÇA BOOM”


bottom of page