50% ose 25% falje taksash vendore: Detajet që duhet t’i dini
- 2 hours ago
- 2 min read
Ligji i ri për faljen e detyrimeve vendore përcakton qartë kategoritë që përfitojnë dhe kushtet konkrete të aplikimit. Sipas tij, përfituese do të jenë të gjitha subjektet e regjistruara në regjistrin aktiv, pasiv apo të çregjistruara, të cilat kanë detyrime tatimore ndaj administratës tatimore vendore.
Për detyrimet e papaguara që i përkasin periudhës nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2019, ligji parashikon faljen e 50 për qind të taksës apo tarifës vendore, nëse pjesa e mbetur 50 për qind paguhet e plotë brenda datës 30 qershor 2026. Një tjetër alternativë është falja e 25 për qind të detyrimit, nëse 75 për qind e mbetur paguhet brenda datës 31 dhjetor 2026. Në të dyja rastet, në momentin që shlyhet detyrimi kryesor sipas përqindjeve të përcaktuara, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.
Ligji parashikon gjithashtu që në rastet kur tatimpaguesi ka shlyer principalin dhe në llogarinë e tij kanë mbetur vetëm gjoba dhe kamatëvonesa, këto të fundit do të falen tërësisht. Për periudhën tatimore 2020–2024, falen plotësisht gjobat dhe kamatëvonesat me kusht që detyrimet vendore të paguhen brenda vitit 2026. Ndërsa çdo detyrim i krijuar përpara vitit 2014 fshihet automatikisht.
Nga kjo skemë faljeje përjashtohen subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose që janë në proces gjyqësor apo hetim penal për vepra penale në fushën tatimore ose doganore.
Në ligjin e faljes përfshihen disa nga taksat dhe tarifat kryesore vendore, si taksa mbi ndërtesën, taksa mbi truallin, taksa mbi tokën bujqësore, taksa e fjetjes në hotel, taksa e përkohshme e infrastrukturës arsimore, taksa e tabelës, tarifa e pastrimit, tarifa për shfrytëzimin e hapësirës publike dhe detyrime të tjera të ngjashme.
Sipas përcaktimeve ligjore, deri më 31 janar 2027 organet përkatëse do të publikojnë në faqet zyrtare listën e 3 mijë tatimpaguesve që kanë përfituar nga fshirja apo shuarja më e madhe e detyrimeve. Në çdo rast, në këtë listë do të përfshihen të gjitha subjektet, të cilave u është fshirë një detyrim jo më i vogël se 5 milionë lekë.
"KORCA BOOM"
















