top of page

654 laboratorë Smart, mësim me IA dhe internet i shpejtë në çdo shkollë: A jemi gati!

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Aug 21, 2025
  • 2 min read

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar për konsultim publik Planin e Veprimit për Arsimin Digjital 2025–2030, një strategji ambicioze që synon të transformojë rrënjësisht sistemin arsimor në vend, duke e përafruar me standardet e Bashkimit Evropian dhe duke shfrytëzuar potencialin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale.


Ky plan thekson largimin nga modeli tradicional “një mësim për të gjithë”, për të kaluar drejt një qasjeje të re, ku përmbajtja mësimore do të përshtatet sipas ritmit, nevojave dhe stilit të të mësuarit të çdo nxënësi. Kjo qasje synon të rrisë përfshirjen dhe të ulë hendekun mes nxënësve me sfida të ndryshme në të nxënë, duke ofruar më shumë mundësi për sukses individual dhe kolektiv.


Mësuesit mbeten një hallkë thelbësore në këtë transformim. Plani përfshin trajnimin e 16 mijë mësuesve në fushën e aftësive digjitale dhe përdorimit të inteligjencës artificiale në mësimdhënie. Trajnimet do të jenë të detyrueshme, të mbështetura me paketa individuale ndihmëse, dhe do të pasohen me një vlerësim periodik të kompetencave digjitale, në mënyrë që cilësia të ruhet dhe përditësohet në përputhje me zhvillimet e shpejta teknologjike.


Për të mbështetur këtë vizion, qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion 5.5 miliardë lekë për modernizimin e infrastrukturës arsimore. Deri në vitin 2027 pritet të krijohen 654 laboratorë Smart në 615 shkolla të vendit, të shpërndahen 5,500 laptopë për mësuesit e gjimnazeve dhe të sigurohet lidhje me internet me shpejtësi të lartë për 95% të shkollave publike.


Një komponent kyç i Planit të Veprimit është edhe pilotimi i përdorimit të inteligjencës artificiale në mësimdhënie, për të cilin janë parashikuar 32 milionë lekë investim. Sidoqoftë, plani njeh edhe sfidat që sjell përdorimi i teknologjisë në procesin mësimor, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët. Prandaj, do të hartohen udhëzime të qarta mbi përdorimin etik, të përgjegjshëm dhe efektiv të inteligjencës artificiale në arsim, duke u bazuar në parimet e UNESCO-s për zhvillimin e një konsensusi global në këtë fushë.

“KORÇA BOOM”



bottom of page