8 qeli të përmbytura në burgun e Durrësit, mes tyre edhe Beqaj e Veliaj
- Korca Boom
- Jan 6
- 1 min read
As burgu i Durrësit nuk i ka shpëtuar pasojave të motit të keq që ka përfshirë vendin. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, duke krijuar një situatë problematike gjatë orëve të fundit.
Si pasojë e përmbytjes së qelive në katin e parë, të paraburgosurit janë detyruar të zhvendosen në katin e dytë. Mes tyre mësohet se ndodhen edhe Ilir Beqaj dhe Erion Veliaj. Niveli i ujit në ambientet e përmbytura ka arritur nga 10 deri në 15 centimetra, duke e bërë të pamundur qëndrimin në këto hapësira.
Prefekti i qarkut Durrës, Emiljan Jani, ka deklaruar se situata është e rënduar, duke bërë me dije se janë përmbytur gjithsej 8 qeli. Ai shtoi se po ndërhyhet me pompa për largimin e ujit nga ambientet e burgut, ndërsa situata po monitorohet nga afër nga autoritetet përkatëse.
“Situata është shumë e rëndë. Tetë familje janë evakuuar dhe janë strehuar në Kavalishencë. Ndërkohë janë përmbytur 8 qeli dhe po dërgohen pompa për largimin e ujit, pasi është përmbytur burgu”, u shpreh prefekti Jani.
Pranë ambienteve të IEVP Durrës raportohet prezencë e lartë e ujit, për shkak të reshjeve intensive që kanë përfshirë zonën. Autoritetet janë në gatishmëri për të garantuar sigurinë e të paraburgosurve dhe për normalizimin e situatës sa më shpejt të jetë e mundur.
Reshjet e shumta kanë shkaktuar problematika edhe në zona të tjera të qytetit dhe qarkut të Durrësit, ndërsa institucionet vendore vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjet emergjente aty ku është e nevojshme.
"KORCA BOOM"



















