top of page

Dyshime për implantim të gabuar embrioni në një klinikë fertiliteti

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 8 hours ago
  • 2 min read

Një çift nga Florida ka depozituar një padi ndaj një klinike fertiliteti, duke ngritur pretendimin se përmes fertilizimit “in vitro” u është sjellë në jetë një fëmijë që nuk ka lidhje biologjike me asnjërin prej tyre.


Sipas raportimeve në mediat amerikane, Tiffany S. dhe Steven M. iu drejtuan klinikës “IVF Life” rreth pesë vite më parë, me shpresën për të realizuar ëndrrën e tyre për t’u bërë prindër. Procedura u krye në muajin prill dhe pas nëntë muajsh, çifti u bë prind i një vajze.


Dyshimet për një parregullsi lindën menjëherë pas lindjes, pasi pamja fizike e foshnjës nuk përputhej me atë të prindërve. Më pas, analizat gjenetike konfirmuan se fëmija nuk ishte biologjikisht i tyre.


Më 22 janar, çifti iu drejtua gjykatës, duke deklaruar se kishte kërkuar vazhdimisht sqarime nga klinika, por pa marrë përgjigje. Përfaqësuesi ligjor i tyre theksoi se prindërit janë thellësisht të lidhur emocionalisht me vajzën dhe e konsiderojnë atë fëmijën e tyre, por jetojnë me shqetësimin se në të ardhmen mund të lindin pretendime nga prindërit biologjikë.


Në padi ngrihet dyshimi se një prej embrioneve të ngrira të çiftit mund të jetë implantuar gabimisht te një paciente tjetër. Si pjesë e kërkesave, çifti i kërkon klinikës të njoftojë pacientët që kishin embrione të ruajtura në periudhën përkatëse dhe të mbulojë shpenzimet për testime gjenetike të fëmijëve të lindur përmes kësaj klinike vitet e fundit.


Në deklarime publike, çifti ka shprehur dëshirën që vajza të rritet në një ambient të qetë dhe të sigurt, duke theksuar se ndjejnë edhe një përgjegjësi morale për të informuar prindërit biologjikë mbi situatën.


Ndërkohë, procedurat hetimore ndaj klinikës vijojnë, ndërsa gjykata ka kërkuar paraqitjen e një plani të detajuar për administrimin e çështjes, në një kontekst ku janë evidentuar më herët edhe problematika lidhur me standardet e sigurisë.

"KORCA BOOM"


bottom of page