Alarm! Digjen 10 kazanë dhe 3 automjete
- 7 hours ago
- 1 min read
Një seri zjarresh të dyshuara si të qëllimshme ka shkaktuar dëme gjatë orëve të para të mëngjesit në Durrës, ku janë djegur 10 kazanë mbetjesh dhe janë dëmtuar nga flakët tre automjete të parkuara.
Ngjarja e parë është regjistruar në rrugën “Enver Velja”, pranë shkollës 9-vjeçare “Kushtrimi i Lirisë”, ku tetë kazanë mbetjesh janë përfshirë nga flakët. Zjarri u përhap me shpejtësi, duke dëmtuar edhe tre automjete të parkuara pranë tyre.
Pak minuta më vonë, dy kazanë të tjerë janë djegur në dy pika të ndryshme të rrugës “Mujo Ulqinaku”, duke e çuar në 10 numrin total të kazanëve të shkrumbuar.
Forcat zjarrfikëse kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve, duke parandaluar përhapjen e tyre në zona të tjera.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarret janë vënë qëllimisht dhe se pas të gjitha rasteve fshihet i njëjti autor. Hetimet paraprake tregojnë se autori i dyshuar ka lëvizur nga rruga “Enver Velja”, ku dyshohet se i ka vënë zjarrin tetë kazanëve, drejt rrugës “Mujo Ulqinaku”, dy akse që kryqëzohen me njëra-tjetrën, ku më pas janë djegur edhe dy kazanë të tjerë.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
“KORÇA BOOM”













