Alarm për tregun: Rritet plastika, priten çmime më të larta për bulmetin
- 1 hour ago
- 1 min read
Pas rritjes së çmimit të naftës dhe tarifave të transportit në tregjet ndërkombëtare, presioni për rritje po përhapet edhe tek lëndët e tjera të para. Një nga sektorët që pritet të ndikohet ndjeshëm është ai i përpunimit të qumështit.
Furnitorët e huaj të fabrikave prodhuese në Greqi kanë njoftuar përpunuesit vendas për një rritje të fortë të çmimeve të plastikës, që në disa raste arrin deri në dyfishim krahasuar me më parë.
Sipas njoftimeve, një pjesë e kësaj rritjeje do të reflektohet në furnizimet e reja për periudhën 1 maj – 31 maj. Ata theksojnë se tregu ndërkombëtar i plastikës ka përjetuar një rritje të paprecedentë, e shoqëruar me kosto më të larta transporti.
Megjithëse furnitorët po përpiqen të absorbojnë një pjesë të kostove për të mos reflektuar menjëherë të gjithë rritjen, ata paralajmërojnë se rishikimi i çmimeve është i pashmangshëm për shkak të presionit të vazhdueshëm në treg.
Ndërkohë, fabrikat vendase të përpunimit të qumështit sinjalizojnë se shtrenjtimi i plastikës, e përdorur për ambalazhimin e produkteve, do të rrisë kostot e prodhimit.
Si pasojë, përpunuesit paralajmërojnë se mund të detyrohen të rishikojnë çmimet e produkteve të bulmetit në javët në vijim, duke reflektuar rritjen e kostove të lëndëve të para.
“KORÇA BOOM”
















