top of page

Arratisja e bujshme, gjendet një tjetër makinë e djegur rreth një orë larg Serresit

25 minutes ago
1 min read

Një makinë e djegur është gjetur mëngjesin e së shtunës në zonën e Volvës, rreth një orë larg Serresit në Greqi, dhe dyshohet se është automjeti i dytë i përdorur nga bashkëpunëtorët e të burgosurit shqiptar që u arratis mbrëmjen e së premtes nga spitali i Serresit.


Mjeti është pikasur në orët e para të mëngjesit nga një kalimtar, i cili ka njoftuar menjëherë shërbimet zjarrfikëse. Forcat zjarrfikëse ndërhynë për shuarjen e flakëve, ndërsa automjeti tashmë është pjesë e hetimit të autoriteteve greke.


Vendndodhja ku u gjet makina konsiderohet e rëndësishme për hetimin, pasi mund t'u japë autoriteteve të dhëna mbi itinerarin e ndjekur nga personat që dyshohet se kanë ndihmuar në arratisje.


Ndërkohë, më herët, pranë spitalit të Serresit u gjet i braktisur edhe një automjet tip “Nissan Navara”. Brenda tij, autoritetet gjetën një kallashnikov, një bidon me benzinë dhe targa.


Zbulimi i dy automjeteve, njëri pranë spitalit dhe tjetri i djegur rreth një orë larg Serresit, po hetohet si pjesë e të njëjtit skenar arratisjeje.


Autoritetet greke vijojnë kërkimet për të burgosurin shqiptar dhe personat që dyshohet se kanë ndihmuar në arratisjen e tij, ndërsa hetuesit po përpiqen të rindërtojnë të gjithë itinerarin e ndjekur pas largimit nga spitali.

“KORÇA BOOM”


bottom of page