BE detyron vendet anëtare të njohin martesat e të njëjtës gjini! Gjykata Evropiane e Drejtësisë rrëzon qëndrimin e Polonisë
- Korca Boom
- 1 day ago
- 2 min read
Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Europian i ka dhënë një goditje të drejtpërdrejtë Polonisë, duke vendosur se të gjitha vendet anëtare të BE-së janë të detyruara të njohin martesat e të njëjtës gjini të kryera në një shtet tjetër të unionit.
Vendimi është me efekt të menjëhershëm dhe i detyrueshëm për të 27 vendet anëtare, pavarësisht legjislacioneve të brendshme.
Rasti që çoi në këtë vendim lidhej me një çift polak të martuar në Berlin në vitin 2018, të identifikuar vetëm me inicialet e tyre. Kur ata u rikthyen në Poloni, autoritetet refuzuan të transkriptonin certifikatën e martesës, me argumentin se ligji polak nuk e njeh martesën mes personave të së njëjtës gjini. Çifti e kundërshtoi këtë vendim në gjykatat polake, të cilat më pas i kërkuan interpretim Gjykatës së BE-së.
Në vendimin e saj, Gjykata e Drejtësisë theksoi se ky refuzim kufizon lirinë e qytetarëve të BE-së për të lëvizur dhe jetuar në çdo shtet anëtar, por edhe cenon edhe të drejtën themelore për respektimin e jetës private dhe familjare. Sipas gjykatës, qytetarët europianë duhet të kenë siguri juridike se kur krijojnë një jetë familjare në një vend të BE-së, mund ta vazhdojnë atë edhe kur kthehen në vendin e tyre të origjinës.
Gjykata sqaroi gjithashtu se vendimi nuk detyron shtetet të legalizojnë martesat e të njëjtës gjini në territorin e tyre, por i detyron ato të mos diskriminojnë martesat e kryera ligjërisht në një shtet tjetër anëtar. Kjo do të thotë se Polonia dhe vendet e tjera që nuk e njohin martesën brenda vendit, janë të detyruara të njohin martesat e huaja për qëllime administrative, ligjore dhe familjare.
Avokati i çiftit që fitoi çështjen nuk ka komentuar vendimin, por organizatat për të drejtat e njeriut në Poloni dhe BE e kanë konsideruar atë një fitore historike për komunitetin LGBT+ dhe për lirinë e qytetarëve europianë./ Oranews
“KORÇA BOOM”



















