Dalin të tjera detaje nga hetimi, njerku dhe dy persona të tjerë përfshihen në skandalin intim
- Korca Boom
- Sep 18, 2025
- 2 min read
Policia e Gjirokastrës ka dhënë detaje të reja mbi rastin e rëndë që ka tronditur komunitetin në Këlcyrë, ku një efektiv i policisë dyshohet se ka pasur një marrëdhënie të papërshtatshme me një të mitur. Ngjarja ka hapur një hetim të gjerë, ku përfshihen disa persona dhe situata të ndërlikuara që lidhen me kërcënime, ngacmime dhe shpërndarje të materialeve intime.
Sipas informacioneve zyrtare të Policisë, shtetasi me iniciale K. P., 46 vjeç, dhe shoku i tij I. P., 27 vjeç, të dy banues në Këlcyrë, janë arrestuar pasi dyshohet se kanë kanosur njerkun e të miturës që t’u jepte 1 000 000 lekë, në mënyrë që të mos publikohej një video me përmbajtje intime.
Gjithashtu, në pranga ka rënë edhe njerku i 16-vjeçares, shtetasi P. B., 55 vjeç, punonjës i Komisariatit të Policisë Përmet, i cili dyshohet se ka ngacmuar seksualisht të miturën për një periudhë rreth trevjeçare.
Rastet e dyshimeve ndaj efektivit të policisë, 53-vjeçarit, i cili dyshohet për ngacmim, janë duke u hetuar intensivisht. Sipas verifikimeve, ai ndodhet aktualisht në Greqi, dhe policia shqiptare po punon në bashkëpunim me autoritetet homologe greke për kapjen dhe kthimin e tij në vend për t’u përballur me drejtësinë.
Për shkak të përfshirjes së efektivit dhe për të garantuar integritetin e hetimit, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër ka vendosur pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësve të Policisë, Inspektor P. B., me detyrë trup shërbimi “Patrullë e Përgjithshme” në Komisariatin e Policisë Përmet dhe Inspektor A. A., me detyrë trup shërbimi “Patrullë e Përgjithshme” në Komisariatin e Policisë Tepelenë.
Hetimet janë në vazhdim dhe autoritetet po përpiqen të zbardhin të gjitha rrethanat e ngjarjes, si dhe rolin e secilit person të përfshirë, me qëllim marrjen e masave ligjore dhe mbrojtjen e viktimës.
“KORÇA BOOM”



















