Burgim i përjetshëm për atentatorin e Trump
- Korca Boom
- 9 minutes ago
- 1 min read
Një gjykatë federale në Shtetet e Bashkuara ka dënuar me burgim të përjetshëm 60-vjeçarin Ryan Ruth, i cili u shpall fajtor për tentativë vrasjeje ndaj Presidentit Donald Trump gjatë një ngjarjeje të ndodhur në një fushë golfi në Florida në vitin 2024.
Përveç dënimit me burgim të përjetshëm, gjykata e dënoi Ruth edhe me shtatë vite të tjera burg për armëmbajtje të paligjshme.
Sipas mediave amerikane, i pandehuri u shpall fajtor për disa akuza të rënda, përfshirë tentativë vrasjeje ndaj një kandidati të rëndësishëm presidencial, përdorim të armës së zjarrit për kryerjen e një krimi, sulm ndaj një zyrtari federal, posedim të paligjshëm të armës së zjarrit, si dhe përdorim të një arme me numër serial të falsifikuar.
Avokati mbrojtës kishte kërkuar një dënim prej 27 vitesh burg, duke argumentuar moshën e avancuar të të pandehurit, por trupa gjykuese vendosi aplikimin e masës maksimale të dënimit, duke e cilësuar veprën si jashtëzakonisht të rrezikshme dhe kërcënuese për sigurinë kombëtare.
Gjatë seancës gjyqësore, pas shpalljes së verdiktit për fajësi për të gjitha akuzat, Ryan Ruth tentoi të lëndonte veten me thikë në sallën e gjyqit, por u neutralizua menjëherë nga forcat e sigurisë. Incidenti shkaktoi tension në sallë, por situata u vu shpejt nën kontroll.
Ngjarja dhe vendimi i gjykatës kanë rikthyer në vëmendje masat e sigurisë për figurat e larta politike në Shtetet e Bashkuara, ndërsa autoritetet amerikane e cilësuan dënimin si një mesazh të qartë kundër çdo akti dhune politike.
"KORCA BOOM"



















