top of page

Dashuria për shkollën e parë të madhe: Elda Zavalani rrëfen emocionet e saj edhe për nënën

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 15 hours ago
  • 2 min read

Jeta ime është lidhur pazgjidhshmërisht me gjimnazin "Themistokli Gërmenji". Shkallët e tij i ngjita që e vogël. Nëna ime, Dhimitra Zavalani, ishte mësuesja e kimisë dhe biologjisë në këtë shkollë. Çdo ditë e prisja në laborator derisa mbaronte mësimin. Aparatet, reagentet, ngjyrat, llampat me alkool, pjatat e Petrit, bekerat, cilindrat, ishin lodrat e mia të preferuara. Nuk i prekja, por i admiroja me një kureshtje të pashoqe.


Tabela e Mendelejevit ishte abetarja ime e parë. Të gjitha këto rritën tek unë dashurinë për shkollën, respektin për mësuesit, vlerësimin për shkencën dhe dëshirën për të mësuar.

Pas klasave të fillores në atë shkollë, u riktheva si gjimnaziste në vitin 1983. Ishte një krenari e ligjshme të isha pjesë e një nga gjimnazet më të shquara të Shqipërisë. Me shumë dashuri dhe dëshirë për dijet, u ula çdo ditë në klasën time në katin e dytë, u emocionova, qesha, u përlota dhe u bëra krenare për veten dhe për shokët, me të cilët ruaj edhe sot një dashuri të thellë vëllazërore.


Stafi pedagogjik ishte i mrekullueshëm. Secili mësues përpiqej të jepte maksimumin, duke na mësuar dhe edukuar njëkohësisht. Mirënjohje përjetë mësueses kujdestare Zj. Tefta Cicko, prof. Rafail Cicko, prof. Sotiraq Jorgaqi, prof. Sandri Gjoka, prof. Evri Kajno, prof. Gaqo Opingari, prof. Nikoleta Konomi, prof. Zhuli Orgocka, prof. Dhimitraq Kallanxhiu, prof. Pandush Stefani, prof. Dane Mujollari, prof. Nikoleta Strati, prof. Luan Malushi, prof. Llazar Ekonomi, prof. Stilian Tiko, prof. Marika Pojani, prof. Natasha Bitraku, prof. Llazi Pula, prof. Natasha Pejo etj. etj.


Në atë shkollë kthehem gjithmonë me shumë emocion dhe rrahje zemre. Ajo zë një vend shumë të rëndësishëm në formimin tim si farmaciste dhe si qytetare, por edhe si grua dhe si nënë.


Uroj që tradita e bukur e Gjimnazit "Th. Gërmenji" të vazhdojë në breza, duke e lartësuar emrin e kësaj shkolle dhe të kësaj vatre kaq të rëndësishme të edukimit dhe përgatitjes për jetën.


Gëzuar festën, shkolla ime e dashur! Të kam në zemër për gjithë jetën!

Me respekt, Elda Zavalani

"KORCA BOOM"


bottom of page