top of page

Del foto e llojit të karameles me kanabis të konsumuara nga tre të miturat në Korçë. Shefi i Pediatrisë: 3-vjeçarja ndodhet në gjendje kritike

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • Sep 19, 2025
  • 1 min read

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Korçës, ku tre vajza të moshave 3, 8 dhe 11 vjeç kanë përfunduar në spital pas konsumimit të karameleve që përmbanin substanca të tipit kanabinoid.


Në foto është lpikërisht lloji i karameles që të miturat gjetën në rrugë dhe i konsumuan.


Shefi i Pediatrisë së Korçës, mjeku Robert Rado, bëri me dije se gjendja shëndetësore e tre fëmijëve paraqitet e ndryshme. Vajza 11-vjeçare shfaqi vetëm simptoma të lehta dhe pas trajtimit është mbajtur në observim. Vajza 8-vjeçare kishte probleme më të dukshme, por pas ndërhyrjes mjekësore gjendja e saj është përmirësuar dhe aktualisht është e zgjuar, reaguese dhe me parametra normalë.


Situata më e rëndë ishte për vajzën 3-vjeçare, e cila mbërriti në spital në gjendje të rëndë, me shenja të prekjes së sistemit nervor. Mjekët u detyruan ta intubonin në reanimacion për t’i shpëtuar jetën. Aktualisht ajo është ekstubuar, në parametra jetësorë të qëndrueshëm dhe me oksigjen, megjithëse mjekët theksojnë se mbetet ende herët për të dhënë një prognozë përfundimtare, pasi substancat e këtij lloji kanë efekte afatgjata që mund të zgjasin deri në 3 ditë dhe të qëndrojnë në organizëm deri në 15 ditë.


Rasti ka ngjallur shqetësim në mjekët dhe opinionin publik, pasi është hera e parë që në Korçë raportohet një intoksikim kaq i rëndë në moshë kaq të vogël nga produkte që përmbajnë derivate të kanabisit, të cilat tregtohen në formë karamelesh ose ëmbëlsirash.

“KORÇA BOOM”


bottom of page