top of page

Delegatët e SHRF Tiranë votojnë për Presidentin dhe Komitetin Ekzekutiv të FSHF

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 days ago
  • 2 min read

Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë zhvilloi sot Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore, ku morën pjesë 45 anëtarë të shoqatës, të përfaqësuar nga 77 delegatë. Takimi u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” në Tiranë.

Gjatë punimeve, delegatët shqyrtuan raportin e aktivitetit për vitin 2025, miratuan pasqyrat financiare dhe buxhetin për vitin 2026, dhe u njohën me arritjet e sfidat e shoqatës gjatë vitit të kaluar.

Një nga pikat kryesore ishte zgjedhja e kryetarit të SHRF Tiranë për katërvjeçarin e ardhshëm. Komisioni i Verifikimit njoftoi se ishte paraqitur vetëm një kandidaturë për kryetar, ajo e Krenar Alimehmetit, i propozuar nga 11 anëtarë të shoqatës.

Me unanimitet të plotë, Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore vendosi rizgjedhjen e Krenar Alimehmetit për një mandat katërvjeçar. Pas rizgjedhjes, Alimehmeti falënderoi anëtarët dhe stafit për përkushtimin, duke theksuar angazhimin e shoqatës për zhvillimin e futbollit amator në Tiranë:

“Ju falënderoj shumë për mbështetjen dhe besimin që më dhatë. Shpresoj që të gjenden metoda të reja për rritjen e cilësisë, përveç masivizimit. Ne gjithmonë do të jemi në mbështetje të zhvillimit të futbollit dhe bashkëpunimi me ju do të forcohet më shumë.”

Në rendin e ditës u diskutuan edhe propozimet për kandidatë për President të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Anëtarët e shoqatës propozuan z. Armand Duka për postin e Presidentit të FSHF-së, dhe z. Lutfi Nuriu si kandidat për Komitetin Ekzekutiv, të cilët u votuan unanimisht.


Gjithashtu, u zgjodhën delegatët që do të përfaqësojnë SHRFT në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së: Krenar Alimehmeti, Artan Vangjeli, Gelda Lilo, Arjan Pisha, Oltion Sula dhe Sonila Çekrezi.


Shoqatës i janë shtuar edhe dhjetë anëtarë të rinj me të drejta të plota, përfshirë akademitë dhe klubet si SG Tirana, Holle, Peza Sport, Pro Talents Tirana, FC Autokton, TR 19 Football Academy, AF Kampionët, Kamza Sport, Dinamo 14 dhe Kamza Juniors.

"KORCA BOOM"


bottom of page