Detajet nga aksidenti tragjik në Greqi, nënë e bir po shkonin në punë së bashku kur makina e tyre u përplas nga kamioni
top of page

Detajet nga aksidenti tragjik në Greqi, nënë e bir po shkonin në punë së bashku kur makina e tyre u përplas nga kamioni

  • 2 hours ago
  • 2 min read

Sipas raportimeve, kamioni ishte i pajisur me një kamerë sigurie, e cila ka regjistruar momentin e përplasjes së fuqishme.


Një aksident tragjik rrugor ka zhytur në zi një familje dhe ka tronditur komunitetin lokal në zonën e Serres, pasi një nënë dhe djali i saj me origjinë shqiptare humbën jetën mëngjesin e së premtes në rrugën provinciale Amfipolis–Drama, pranë Paleokomit, në Bashkinë e Amfipolis.


Sipas informacioneve të fundit, 43-vjeçarja dhe djali i saj 21-vjeçar ishin nisur herët drejt punës, pa e ditur se ai do të ishte udhëtimi i tyre i fundit. Automjeti me të cilin udhëtonin u përplas ballë për ballë me një kamion, në rrethana që po hetohen nga autoritetet kompetente.


Shoferi 56-vjeçar i kamionit, duke folur për Mega, përshkroi momentet dramatike të aksidentit fatal.


"Normalisht jam në korsinë time, në 75 deri në 80 kilometra, sepse kaq duhet të shkosh, nuk mund të shkosh më tej, dhe papritmas një makinë vjen drejt meje, ka humbur kontrollin nga ana e sipërme, nga Souli i vogël. Ka humbur kontrollin, ka shkuar në drejtim të kundërt me mua, po përpiqet të kthejë timonin dhe unë po kërkoj të shkoj majtas që të shpëtoj, nuk e arrita dhe më përplasi dhe ndodhi ajo që ndodhi.", tha ai.


Kamerat regjistruan momentin e përplasjes


Sipas raportimeve, kamioni ishte i pajisur me një kamerë sigurie, e cila ka regjistruar momentin e përplasjes së fuqishme.


Pamjet pritet të analizohen nga autoritetet hetimore, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në aksidentin fatal.


21-vjeçari ishte në timon

Burime të mediave greke bëjnë të ditur se automjeti drejtohej nga 21-vjeçari, ndërsa nëna e tij ndodhej në sediljen e pasagjerit. Përplasja, e cila ndodhi rreth orës 07:30 të mëngjesit, ishte aq e fortë sa të dy humbën jetën në vendngjarje, pa pasur mundësi të mbijetonin.


Familja, me origjinë nga Shqipëria, jetonte prej vitesh në Paleokomi, ku kishte ndërtuar jetën e saj me punë dhe përkushtim. Nëna dhe djali punonin në të njëjtën kompani të madhe të blerjes dhe menaxhimit të pasurive të paluajtshme, me seli në plazhin e Ofrynit (Tuzla), dhe pikërisht drejt vendit të punës po udhëtonin kur ndodhi tragjedia.


Pas tyre mbeten babai dhe vajza e familjes, të cilët përballen me një humbje të rëndë dhe të pariparueshme, pasi brenda pak çastesh humbën dy nga njerëzit e tyre më të dashur.


Shoferi i kamionit pësoi lëndime të lehta dhe u transportua në Spitalin e Përgjithshëm të Dramës. Sipas informacioneve të para, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e Policisë Greke, dy automjete të Shërbimit Zjarrfikës dhe ekipet e EKAB-it, por për nënën dhe djalin nuk mund të bëhej më asgjë.


Lajmi për humbjen e tyre ka shkaktuar pikëllim të madh në komunitetin lokal, ku banorët i kujtojnë si dy njerëz që u nisën për një ditë të zakonshme pune, por nuk u kthyen më kurrë në shtëpi.

“KORÇA BOOM”


bottom of page