top of page

Dhunë në burg/ Dy të paraburgosur sulmojnë gardianin dhe thyejnë pajisjet

  • 2 days ago
  • 1 min read

Një incident dhune është regjistruar në burgun e Reçit, ku dy të paraburgosur kanë ushtruar dhunë ndaj një punonjësi të Policisë së Burgjeve.


Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të paraburgosurit me iniciale A.Gj dhe F.D kanë kundërshtuar me forcë autoritetin dhe kanë dëmtuar pronën, duke shkatërruar pajisje brenda ambienteve të institucionit.


Autoritetet bëjnë me dije se reagimi ka qenë i menjëhershëm, ndërsa strukturat drejtuese kanë shkuar në vendngjarje për të ndjekur nga afër menaxhimin e situatës. Forcat e sigurisë kanë ndërhyrë duke neutralizuar rrezikun.


Punonjësi i dëmtuar ka marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.


Ndaj dy të paraburgosurve janë marrë masa të menjëhershme disiplinore dhe ligjore. Ata janë vendosur në regjim të veçantë izolimi për një periudhë 3-mujore, ndërsa ndaj tyre është nisur procedim penal për disa vepra penale, në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve. Gjithashtu, është vendosur transferimi i tyre në një institucion të sigurisë së lartë.


Drejtoria e Burgjeve thekson se çdo akt dhune ndaj punonjësve të Policisë së Burgjeve është i papranueshëm dhe do të përballet me ndëshkim maksimal sipas ligjit, duke garantuar se mbetet e angazhuar për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në institucionet penitenciare./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”


bottom of page