Dy grabitje me a*rmë brenda pak orësh: Fillimisht taksi, më pas pikë karburanti
- Korca Boom
- Jan 5
- 2 min read
Dy grabitje me armë janë regjistruar mbrëmjen e sotme brenda pak orësh, duke krijuar shqetësim në zonën e kryeqytetit dhe më gjerë. Ngjarjet dyshohet se janë kryer nga i njëjti autor, i cili fillimisht ka grabitur një taksi dhe më pas ka sulmuar një pikë karburanti.
Sipas informacioneve paraprake, gjithçka ka nisur në Tiranë, ku një person ka marrë një taksi dhe i ka kërkuar drejtuesit të mjetit që ta dërgonte në Fushë-Krujë. Udhëtimi ka vijuar normalisht deri në momentin kur mjeti është afruar në zonën e Tapizës. Aty, pasagjeri ka nxjerrë një armë zjarri dhe ka kërcënuar taksistin, duke e detyruar të ndalojë.
Nën kërcënimin e armës, autori ka marrë drejtimin e mjetit, ndërsa më pas e ka zbritur taksistin në një zonë të largët. Ai i ka marrë viktimës paratë dhe telefonin celular, duke u larguar me taksinë e grabitur.
Pas grabitjes së parë, autori nuk është ndalur. Me automjetin e vjedhur, ai është drejtuar drejt një pike karburanti në afërsi të Milotit. Edhe aty, nën kërcënimin e armës, i ka marrë punonjësit paratë e xhiros ditore dhe është larguar menjëherë nga vendngjarja.
Burime bëjnë me dije se më pas autori është kthyer sërish në zonën e Fushë-Krujës, ku ka lënë automjetin e grabitur pranë një xhamie. Pas kësaj, ai është zhdukur pa lënë gjurmë, duke i shpëtuar përkohësisht identifikimit dhe arrestimit.
Policia ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Po ashtu, janë marrë dëshmi nga viktimat dhe janë sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë në zonat ku kanë ndodhur grabitjet.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim te qytetarët, ndërsa autoritetet vijojnë kontrollet intensive për kapjen e personit të dyshuar.
"KORCA BOOM"



















