Dënohet me 12 vite burg 38-vjeçari, u zbulua lidhja me të miturën pas hetimeve për vjedhje bagëtish
- Korca Boom
- Oct 20, 2025
- 2 min read
Gjykata e Lezhës ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 12 vite burgim Simon Gjokën, 38 vjeç, banues në Milot, i cili fillimisht u vu në pranga për një seri vjedhjesh bagëtish në zonën e Gajushit. Gjatë hetimeve për këtë rast, autoritetet zbuluan fakte të rënda që çuan në ngritjen e një akuze të dytë: marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur.
Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 18 vite heqje lirie, por Gjoka përfitoi ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar, duke rezultuar në 12 vite burg. Ai u shpall fajtor për dy vepra penale: "Vjedhje e kryer në bashkëpunim" dhe "Marrëdhënie seksuale me të mitur".
Sipas dosjes hetimore, hetuesit hasën në të dhëna komprometuese gjatë përgjimeve telefonike të të pandehurit, ku doli në pah komunikimi i tij me një vajzë 13-vjeçare. E mitura u pyet në prani të një psikologu dhe të nënës së saj, ku pranoi se kishte pasur marrëdhënie me të rriturin dhe se, sipas saj, gjithçka kishte ndodhur “me dëshirë”.
Vajza shtoi gjithashtu se ai e kishte prezantuar me persona të tjerë, duke ngritur dyshime për përfshirje në shfrytëzim për qëllime prostitucioni – një pistë hetimore që mbetet e hapur. Në celularin e saj u zbuluan foto me përmbajtje intime, të cilat i ishin dërguar Gjokës.
Nga hetimi rezultoi se 38-vjeçari kishte një raport miqësor me nënën e të miturës, një grua që shiste qirinj në afërsi të kishës së Shna Ndout në Laç, çka dyshohet t’i ketë lehtësuar afrimin ndaj vajzës.
Pavarësisht mohimeve të vazhdueshme të të pandehurit gjatë procesit gjyqësor, gjykata e Lezhës e cilësoi të provuar fajësinë e tij dhe e dënoi përfundimisht me 12 vite burg.
Ndërkohë, policia dhe prokuroria po vijojnë hetimet për raste të tjera të mundshme vjedhjeje në zonat përreth, për të cilat Gjoka dyshohet të jetë përfshirë.
“KORÇA BOOM”



















