E pritën te dera e shtëpisë, gazetari rrëfen tmerrin: Më goditën me leva hekuri dhe tentuan të më fusnin në furgon
Gazetari Elton Tozaj ka treguar detaje tronditëse nga sulmi i dhunshëm që përjetoi një ditë më parë. Me kokën tërësisht të fashuar, si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me leva hekuri, ai ka rrëfyer se si u prit nga autorët pranë banesës së tij dhe u sulmua në momentin që doli nga shtëpia.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin “Kosova Live” në televizionin T7, Tozaj deklaroi se në sulm kanë marrë pjesë katër persona, të cilët dyshohet se e kishin pritur në një furgon.
Gazetari tregoi se kishte lënë një takim me një producent dhe një gazetare për një bashkëpunim lidhur me realizimin e tre episodeve të një rrëfimi. Por, sapo doli nga banesa, ai u përball me agresorët, të cilët e goditën disa herë në pjesën e pasme të kokës, duke e lënë pa ndjenja.
Sipas dëshmisë së tij, autorët tentuan ta tërhiqnin zvarrë për ta futur me forcë në furgon. Ai tha se ndërhyrja dhe reagimi i banorëve të zonës, të cilët bërtitën pasi panë ngjarjen, bënë që të shpëtonte nga rrëmbimi.
“Kam ndjerë goditje këtu pas në kokë, me levë, kam rënë pa ndjenja. Kanë tentuar për të më tërhequr zvarrë për të më futur në furgon, por di që ka pasur banorë që e kanë parë, kanë ulëritur dhe falë atyre kam shpëtuar pa më hipur në furgon”, rrëfeu gazetari.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi rrethanat dhe motivet e sulmit, ndërsa dëshmia e gazetarit zbulon se agresioni nuk ishte thjesht një përplasje fizike, por përfshinte edhe tentativën për ta futur me forcë në një automjet.
“KORÇA BOOM”
















