top of page

E RËNDË në lagjen 4-ër në KORÇË/ Hyri me th*kë në klinikën dentare dhe kërcënoi stomatologen duke i grisur përparësen, arrestohet korçari

11 hours ago
2 min read

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Korçës, ku një 44-vjeçar ka tentuar të grabisë një klinikë dentare duke kërcënuar me thikë stomatologen që ndodhej në ambientet e saj.


Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 4 të qytetit, ku autori ka hyrë me forcë në klinikën dentare, duke mbajtur në dorë një mjet prerës. Sipas informacioneve, ai ka pasur si qëllim të kryente vjedhjen e ambienteve të biznesit.


Gjatë tentativës për grabitje, 44-vjeçari ka sulmuar stomatologen, duke i grisur përparësen dhe duke e kërcënuar me thikë. Situata ka krijuar momente frike dhe paniku për mjekën, e cila është përballur me autorin e armatosur brenda klinikës.


Në fund, 44-vjeçari ka arritur të marrë vetëm një laptop, përpara se të largohej me shpejtësi nga vendngjarja.


Pas njoftimit për rastin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë nisur veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Falë hetimeve dhe veprimeve të kryera, policia ka bërë të mundur identifikimin e 44-vjeçarit dhe më pas arrestimin e tij.


Ai është arrestuar për veprën penale “Vjedhje me dhunë”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për vijimin e hetimeve dhe kryerjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.


Ndërkohë, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt i hetimeve nga autoritetet.


NJOFTIMI I POLICISË:


Korçë/Kanosi me mjet prerës (thikë) dhe shtyu me forcë, pronaren e klinikës dentare ku hyri për të vjedhur, arrestohet në flagrancë 44-vjeçari, me precedent penal për vjedhje me dhunë.


Sekuestrohen thika e dyshuar e përdorur për kanosjen dhe një laptop i vjedhur në klinikë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë, menjëherë pas njoftimit se një shtetas kishte hyrë në një klinikë private, në lagjen nr. 5, dhe po kanoste me thikë pronaren e kësaj klinike, me qëllim vjedhjen, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë dhe arrestimin e shtetasit:


-A. Ç., 44 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për vjedhje me dhunë.

Ky shtetas ka hyrë në ambientet e një klinike dentare, ku pasi ka shtyrë me forcë pronaren e klinikës dhe e ka kanosur atë, me mjet prerës (thikë), ka vjedhur një laptop.


Thika e përdorur për kanosjen dhe laptopi u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.



Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

“KORÇA BOOM”


bottom of page