top of page

E trishtë! Ndahet nga jeta gazetari i njohur Agron Shima

  • 2 days ago
  • 1 min read

Lamtumirë, AGRON SHIMA…


Më mbuloi dëshpërimi dhe keqardhja. Kolegu im, gazetari i njohur i Kavajë, Agron Shima, ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë.


Së pari, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij, por edhe miqve, kolegëve dhe dashamirësve të shumtë.


Agroni e nisi rrugëtimin e tij në gazetari pak pas viteve ’80. Ishte i bindur në aftësitë e tij dhe dinte ta ushtronte me profesionalizëm këtë zanat jo të lehtë. Punoi me përkushtim dhe këmbëngulje për shumë vite.


Në gazetën “Adriatiku”, e më pas te “Sporti Popullor”, ai shërbeu si korrespondent për Kavajën. Kur u themelua gazeta e parë sportive “BESA SPORT”, Agroni ishte pjesë e bordit themelues. Gjithashtu, ai kontribuoi edhe në dy radiot lokale të qytetit, si dhe në TV 6.


I palodhur dhe me një stil pune produktiv, Agron Shima solli në redaksitë ku punoi lajme të shumta reale nga terreni. Ai i pasuroi ato me kulturë profesionale, seriozitet dhe përkushtim të admirueshëm.


Sot ndihemi të shokuar nga largimi yt, Agron. Më dridhen duart teksa shkruaj këtë tekst lamtumire.


Zoti të mëshiroftë dhe qofsh i Xhenetit.


U bëftë varri yt një lulishte e madhe dhe prehesh në paqe…


Në foto, i pari majtas është i ndjeri Agron Shima, së bashku me miq të tjerë që sot nuk jetojnë më: gazetari dhe shkrimtari Josif Doja, në mes “Manolo” i futbollit kavajas Kasem Hyka, si dhe poeti Qemal Cara.

“KORÇA BOOM”


bottom of page