Taulant Balla publikon fragmentin e filmit, vjen reagimi i fortë nga Mitropoliti i Korçës
Një postim në rrjetet sociale nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, me rastin e Ditës së Alfabetit, ka shkaktuar reagimin e Mitropolitit të Korçës, Anastas. Shkak është bërë publikimi i një fragmenti nga filmi shqiptar “Kush vdes në këmbë”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, ku shfaqet edhe figura e një kleriku ortodoks.
Në fragmentin e publikuar nga Balla, përballë personazhit të Petro Luarasit shfaqet një klerik ortodoks, i cili përcjell mesazhin: “Perëndia di çdo gjuhë”.
Por kjo video nuk është pritur pa reagime. Mitropoliti i Korçës, Anastas, ka zgjedhur t'i përgjigjet publikimit të Ballës me një mesazh kritik, duke e lidhur promovimin e patriotizmit dhe të gjuhës shqipe me atë që ai e konsideron si kontradiktë të politikave që nxisin shpopullimin e vendit.
“Kur nëpërmjet shpopullimit, bën gjithçka që Shqipëria të flasë çdo gjuhë, përveç shqipes dhe puna jote është të bësh patriotin në festë”, shkruan Mitropoliti.
Në vijim, ai i drejtohet drejtpërdrejt Taulant Ballës, duke kundërshtuar mënyrën se si paraqiten klerikët ortodoksë në filmin e realizmit socialist.
“Nuk i përdhosni dot klerikët ortodoksë me filma të realizmit socialist z. Balla”, shprehet Anastas.
Reagimi i Mitropolitit të Korçës ka rikthyer në vëmendje debatin mbi mënyrën se si trajtohet figura e klerikëve në filmat e periudhës së komunizmit, por edhe kontrastin mes mesazheve patriotike në ditë festash dhe problematikës së largimit të qytetarëve nga Shqipëria.
“KORÇA BOOM”
















