Egnatia sfidon emrat e njohur europianë. Ja përballjet e kampionëve në Conference League
- 6 hours ago
- 1 min read
Egnatia ka mësuar kundërshtarët me të cilët do të përballet në fazën e ligës së Conference League për sezonin 2026-2027. Shorti i hedhur këtë të premte në Monaco i ka rezervuar kampionëve të Shqipërisë gjashtë përballje, në një aventurë historike për klubin nga Rrogozhina.
Egnatia do të luajë tri ndeshje në shtëpi, ku do të presë danezët e Midtjylland, skuadrën nga Gjibraltari Lincoln Red Imps dhe lituanezët e Kauno Žalgiris.
Ndërkohë, në transfertë kampionët shqiptarë do të përballen me një tjetër kundërshtar të fortë, portugezët e Bragës, si dhe me rumunët e Universitatea Craiova dhe danezët e Aarhus.
Kjo është hera e parë që Egnatia merr pjesë në fazën e ligës së Conference League, duke shkruar një tjetër faqe të rëndësishme në historinë e klubit.
Formati i Conference League
Në fazën e ligës marrin pjesë 36 skuadra, të cilat renditen në një klasifikim të përbashkët.
Çdo ekip do të zhvillojë gjashtë ndeshje, tri në shtëpi dhe tri në transfertë, ndaj kundërshtarëve të ndryshëm.
Tetë skuadrat e para të renditjes do të kualifikohen direkt në fazën e 1/8-ave, ndërsa ekipet që pozicionohen nga vendi i nëntë deri në të 24-in do të luajnë në fazën play-off për një vend në fazën e eliminimit direkt.
Skuadrat që përfundojnë nga vendi i 25-të deri në të 36-in do ta mbyllin aventurën europiane.
Faza e ligës së Conference League do të nisë më 15 tetor 2026, ndërsa finalja është planifikuar të zhvillohet më 2 qershor 2027, në stadiumin e Besiktasit në Stamboll.
“KORÇA BOOM”
















