Flet kushëriri i 52-vjeçares së vrarë në Pogradec: “Jetonte vetëm, ishte njeri shumë i mirë, shteti të japë drejtësi”
- Korca Boom
- Jul 28, 2025
- 2 min read
Një ngjarje e rëndë tronditi qytetin e Pogradecit mëngjesin e sotëm, ku një 52-vjeçare është gjetur e vrarë në banesën e saj. Viktima është identifikuar si Kozeta, ndërsa ende nuk janë bërë publike motivet apo autori i ngjarjes.
Për mediat ka folur kushëriri i saj, Sotiraq Teço, i cili sapo ishte kthyer nga Anglia. Ai shprehu tronditjen për vrasjen, duke thënë se nuk kishte asnjë dijeni për atë që kishte ndodhur.
“Nuk di gjë, nuk ndërhyj dot në gjëra që nuk më lejohet. Kozeta jetonte e vetme kohët e fundit. Unë kam 20 vite që kam ikur, tre ditë kam që u ktheva nga Anglia. Isha në Niçë, zbrita nga atje, u lajmëruam dhe po vijnë e familjarë të tjerë. Nuk e dija që bëhej fjalë për Kozetën, e dija sikur bëhej fjalë për motrën e madhe, se ajo njëherë ka qenë e ndarë. Për këtë nuk di gjë. Sa i përket kësaj ngjarje, e di shteti. Unë jam me shtetin, të japë drejtësi,” tha ai.
Teço tha se nuk kishte parë asgjë të dyshimtë, pasi ishte larguar nga banesa rreth orës 04:30 të mëngjesit për të udhëtuar drejt Maqedonisë. Ai kujtoi se viktima ishte një person shumë i mirë dhe e qetë, duke shtuar se së fundmi jetonte vetëm.
“Ishte shumë njeri i mirë. Jetonte vetëm. Unë kam dalë nga banesa në orën 4:30, kam ikur në Maqedoni. Nuk pashë gjë kur ika. Tani e mora vesh. Dje ishte e motra këtu, por ajo banon në Tiranë”, përfundoi ai.
Ndërkohë, policia vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e vrasjes. Trupi i viktimës është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, ndërsa po kontrollohen kamerat e sigurisë në zonë. Deri tani nuk ka persona të ndaluar./ LAJMI FUNDIT
“KORÇA BOOM”



















