top of page

Ja çfarë ndryshon në shkolla nga viti 2026–2027: Orar i zgjatur dhe drekë falas

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 2 hours ago
  • 1 min read

Duke nisur nga viti akademik 2026–2027, 30 shkolla në të gjithë vendin do të funksionojnë me orar të zgjatur, duke u ofruar nxënësve mundësinë të qëndrojnë në ambientet shkollore deri në orën 16:00. Projekti parashikon gjithashtu ofrimin e drekës falas dhe kohë të dedikuar për kryerjen e detyrave të shtëpisë në shkollë.


Mësohet se bëhet fjalë për një projekt pilot, për të cilin shkollat përfituese kanë marrë udhëzimet përkatëse mbi mënyrën e funksionimit. Në disa prej këtyre shkollave janë njoftuar edhe prindërit, të cilët në shumicë e kanë mirëpritur këtë ndryshim.


Vakti i drekës do të ofrohet pa pagesë dhe nuk do të ketë asnjë kosto shtesë për prindërit. Projekti do të zbatohet për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë, duke synuar jo vetëm mbështetje në mësim, por edhe një organizim më të mirë të kohës së fëmijëve.


Qëndrimi i nxënësve në shkollë deri në orën 16:00 ka qenë prej vitesh një kërkesë e vazhdueshme e prindërve dhe është prezantuar edhe më herët nga kryeministri Edi Rama si pjesë e vizionit për përmirësimin e sistemit arsimor.


Aktualisht, drafti për zbatimin e këtij projekti ndodhet ende në proces finalizimi, ndërsa pritet që detajet e plota të bëhen publike në vijim.

"KORCA BOOM"


bottom of page