top of page

Fondi kërkon zgjidhjen e kontratave me 360 farmaci, Urdhri i Farmacistëve kundër veprimeve kolektive

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 3 hours ago
  • 2 min read

Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka kërkuar zgjidhjen e kontratës me rreth 360 farmaci që ofrojnë barna me rimbursim, si dhe ndjekjen e procedurave penale për disa prej tyre, me argumentin e faturave të dyshimta për disa barna.


Në procesverbalet e dërguara tek farmacitë, Fondi thekson zgjidhjen e kontratës pa afat, një vendim që ka shkaktuar reagime të ashpra nga Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë. Sipas deklaratës zyrtare të urdhrit, ky veprim përbën një “dënim masiv kolektiv pa prova” dhe rrezikon stabilitetin e sistemit farmaceutik, duke prekur drejtpërdrejt pacientët që përfitojnë barna me rimbursim.


Urdhri i Farmacistëve thekson se procesverbalet janë hartuar në mënyrë të njëanshme, pa u mbështetur në rregulloren e kontrollit dhe pa firmën e titullarit. Pretendimi mbi ekzistencën e faturave fiktive është i pabazuar, pasi farmacitë furnizohen vetëm nga importues dhe shpërndarës të kontraktuar me Fondin, dhe sistemi elektronik i-depo nuk lejon lëshimin e faturave pa gjendjen e mallit.


Në deklaratë theksohet gjithashtu se farmacitë nuk kanë kompetencë të verifikojnë gjendjen fizike të barnave në depo, përgjegjësi kjo që i takon Fondit dhe strukturave të tij kontrolluese. Procedura e propozuar rrezikon furnizimin e pandërprerë të pacientëve dhe stabilitetin e shërbimit farmaceutik në tërësi.


Pothuajse të gjitha farmacitë e përfshira janë kontrolluar më parë nga Drejtoritë Rajonale dhe Fondi, pa u konstatuar shkeljet e pretenduara. Urdhri kërkon ndërprerjen e çdo procedure administrative dhe ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrisë së Shëndetësisë për të shmangur kolapsin në furnizimin e pacientëve dhe për të mbrojtur profesionin farmacist.


Në deklaratë theksohet se Urdhri i Farmacistëve është kundër çdo forme abuzimi apo përfitimi të paligjshëm, por nuk do të pranojë penalizime kolektive, veprime arbitrare apo kërcënime penale pa prova dhe pa procedurë ligjore, që cenojnë interesin publik.

"KORCA BOOM"

ree

bottom of page