top of page

Furnizonte “spaçatorët” me kokainë, arrestohet 51-vjeçari!

  • 51 minutes ago
  • 1 min read

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe parandalimin e shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet, nga Komisariati i Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, u finalizua me sukses faza e dytë e operacionit policor të koduar “Zonat”.


Si rezultat i kësaj faze të operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi F. B., 51 vjeç.


Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative dhe pas një pune hetimore e operacionale të mirëorganizuar, shërbimet e Policisë lokalizuan dhe ndaluan këtë shtetas në një lokal në zonën e Freskut. Gjatë kontrollit të çantës që ai mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën në brendësi të saj dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 811 gramë lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë.


Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas do të furnizonte edhe shtetas të tjerë me këtë sasi lënde narkotike, me qëllim shpërndarjen e saj në doza në zona të ndryshme të kryeqytetit.


Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.


Faza e parë e operacionit “Zonat” u finalizua një ditë më parë nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, ku u sekuestruan mbi 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë dhe u vu në pranga poseduesi i saj.


Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“KORÇA BOOM”


bottom of page