Gazetarët kundërshtojnë idenë e mbylljes së RTSH-së, flasin për rrezik ndaj pluralizmit
- Korca Boom
- Jan 16
- 2 min read
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi Radio Televizionin Shqiptar si një dështim dhe hodhi si alternativa mbylljen, privatizimin apo partneritetin e tij.
Në një deklaratë zyrtare, AGSH thekson se propozime të tilla përbëjnë masa ekstreme, të cilat cenojnë drejtpërdrejt pluralizmin mediatik dhe të drejtën e publikut për t’u informuar. Sipas Asociacionit, televizioni publik nuk mund të trajtohet si një sipërmarrje financiare, por si një institucion me mision publik, që duhet të garantojë informim të paanshëm, kulturë, edukim dhe akses të barabartë për të gjithë qytetarët.
AGSH vlerëson se retorika politike që stigmatizon median publike, pa një analizë të thelluar dhe pa garanci për pavarësinë editoriale, bie ndesh me standardet evropiane për lirinë e medias. Në reagim nënvizohet se është e papranueshme që përgjegjësia për problemet strukturore të RTSH-së t’i faturohet vetëm institucionit, duke anashkaluar ndërhyrjet politike, emërimet e kontestuara, mungesën e transparencës dhe paqëndrueshmërinë financiare ndër vite.
Sipas Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, refuzimi i financimit publik si formë presioni politik përbën një rrezik serioz për pavarësinë e medias publike. AGSH kërkon që çdo reformë e RTSH-së të ndërtohet mbi dialog të hapur me gazetarët, shoqërinë civile dhe ekspertët e medias, duke u mbështetur në praktikat më të mira evropiane dhe rekomandimet e organizatave ndërkombëtare.
Në përfundim, AGSH rikujton se prej vitesh ka bërë thirrje për reforma të thella në RTSH, veçanërisht në procesin e përzgjedhjes së Këshillit Drejtues, emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm dhe ristrukturimit të brendshëm të institucionit, duke paralajmëruar se mbyllja apo privatizimi i televizionit publik do të sillte pasoja të rënda për demokracinë dhe informimin publik.
"KORCA BOOM"



















