Gazi “del jashtë kontrollit”, tregu lëviz pa kufizim
- Apr 5
- 1 min read
Çmimi i gazit ka pësuar rritje këtë të shtunë, pasi Bordi i Transparencës së Hidrokarbureve nuk e përfshiu atë në formulën e fiksimit të çmimeve në mbledhjen e fundit të zhvilluar të premten.
Në pikat e tregtimit me pakicë, një litër gaz po shitet aktualisht me 72 deri në 75 lekë, nga 65 lekë për litër që ishte çmimi i mëparshëm i përcaktuar nga Bordi.
Para nisjes së krizës në Lindjen e Mesme, gazi tregtohej mesatarisht me 55-60 lekë për litër, çka tregon një rritje të ndjeshme në një periudhë të shkurtër.
Edhe pse çmimet e karburanteve dhe gazit janë fiksuar prej më shumë se një jave nga Bordi, në mbledhjen e fundit nuk u mor asnjë vendim për gazin. Operatorët kanë argumentuar se çmimi i tij është rritur në bursat ndërkombëtare, ndërsa drejtuesit e Bordit kanë theksuar se gazi nuk është subjekt i vendimit, duke u lënë hapësirë tregtarëve për të reflektuar rritjen e kostove.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në vend ka rreth 84 mijë mjete hibride që përdorin gazin, ose rreth 9% e totalit.
Gazi përdoret gjerësisht edhe nga familjarët për gatim dhe ngrohje, çka e bën këtë rritje të ndikojë drejtpërdrejt në buxhetin e qytetarëve.
“KORÇA BOOM”
















