Gjendet i pajetë 54-vjeçari i zhdukur prej orësh
- Korca Boom
- Jan 8
- 1 min read
Personi që shikoni në foton e mësipërme është 54-vjeçari Astrit Hysenaj, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, i cili humbi jetën si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga moti i keq në qytetin e Durrësit.
Trupi i pajetë i Hysenajt u gjet në një kanal në zonën e ish-repartit ushtarak, pas disa orësh kërkimesh. Ai ishte shpallur i zhdukur që prej datës 6 janar, pasi kishte lënë vendin e punës rreth orës 10:30 dhe nuk ishte kthyer më në banesë.
Sipas informacioneve, 54-vjeçari ishte paraqitur normalisht në punë në orën 06:00 dhe kishte ushtruar detyrën deri në orët e paradites. Familjarët, të shqetësuar nga mungesa e tij, kanë kontaktuar fillimisht përgjegjësin e Ndërmarrjes Komunale Plazh për të marrë informacion mbi lëvizjet e fundit të Astrit Hysenajt.
Pasi janë informuar se ai ishte larguar nga puna në orën 10:30, familjarët kanë njoftuar Policinë e Shtetit për zhdukjen e tij.
Në një reagim zyrtar, Bashkia e Durrësit bëri me dije se:“Punonjësi i Ndërmarrjes Komunale Plazh, z. Astrit Hysenaj, më datë 06.01.2026, është paraqitur normalisht në vendin e punës në orën 06:00 dhe ka ushtruar detyrën deri rreth orës 10:30, kohë në të cilën është larguar nga ambientet e punës. Rreth orës 16:00, familjarët kanë kontaktuar përgjegjësin e ndërmarrjes dhe më pas kanë njoftuar Policinë e Shtetit.”
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se 54-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e motit të keq, pasi është marrë nga rrjedha e ujit në një kanal, gjatë përmbytjeve që përfshinë zonën.
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
"KORCA BOOM"



















