top of page

Gjendet i pajetë në Spitalin e Burgjeve i dënuari me 25 vite burg

  • 18 minutes ago
  • 1 min read

Sot në Qendrën Spitalore të Burgjeve është gjetur pa shenja jete një i dënuar 47-vjeçar, i cili po vuante një dënim prej 25 vitesh burg për veprën penale të vrasjes në rrethana cilësuese.


Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin F.Q., i cili prej vitesh trajtohej për probleme të shëndetit mendor dhe ishte diagnostikuar me skizofreni. Ai ndiqej vazhdimisht nga personeli mjekësor i sistemit penitenciar dhe kishte qenë disa herë i shtruar në Spitalin e Burgjeve, ndërsa hospitalizimi i fundit ishte kryer më 28 maj 2026.


Të dhënat paraprake tregojnë se rreth orës 16:50, 47-vjeçari është gjetur i vetëvarur në ambientet e tualetit të dhomës ku qëndronte. Menjëherë pas sinjalizimit, personeli i sigurisë dhe ai shëndetësor kanë ndërhyrë, por pa mundur t’i shpëtojnë jetën, pasi vdekja kishte ndodhur menjëherë.


Mësohet se pak minuta para ngjarjes, ai ishte kontrolluar nga stafi mjekësor, ndërsa gjatë gjithë kohës ishin kryer procedurat e monitorimit dhe verifikimit sipas rregullave në fuqi.


Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes së Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shprehur ngushëllime për familjarët e të ndjerit dhe ka garantuar bashkëpunim të plotë me institucionet përgjegjëse për hetimin e rastit.

“KORÇA BOOM”


bottom of page