Gripi i pazakontë në Japoni shkakton ndërprerje të shkollave dhe shton shqetësimet për dimrin që po vjen
- Korca Boom
- Oct 17, 2025
- 1 min read
Sezoni i gripit ka mbërritur shumë më herët se zakonisht në Japoni këtë vit, plot pesë javë përpara krahasuar me vitin 2024. Deri më 10 tetor janë raportuar 6,013 raste të konfirmuara, ndërsa mbi 100 shkolla kanë vendosur të mbyllen përkohësisht.
Këto shifra alarmante e shtynë Ministrinë e Shëndetësisë në Tokio që, më 3 tetor, të shpallte se “Japonia është në mes të një epidemie gripi”, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin masa parandaluese si larja e shpeshtë e duarve, përdorimi i maskave dhe vaksinimi.
Sipas ministrisë, ky është “fillimi i dytë më i hershëm i sezonit të gripit në 20 vitet e fundit”. Revista shkencore Nature shkruan se numri i rasteve është i pazakontë për këtë periudhë dhe mund të shkaktojë shpërthime në vendet që po hyjnë në sezonin dimëror në Azi dhe Evropë, edhe pse nuk pritet të kthehet në pandemi globale.
Gjatë muajit shtator, nga 287 persona të shtruar në spital për shkak të gripit, gati gjysma ishin fëmijë nën moshën 14 vjeç. Normalisht, sezoni i gripit në Japoninë Lindore nis në fund të nëntorit.
Ekspertët thonë se rritja e udhëtimeve ndërkombëtare pas pandemisë së COVID-19 mund të jetë një nga shkaqet kryesore të fillimit të hershëm. Virologu Vinod Balasubramaniam nga Universiteti Monash në Malajzi përmend gjithashtu faktorë si ndryshimet klimatike dhe mungesën e ekspozimit ndaj virusit, veçanërisht te të moshuarit dhe fëmijët e vegjël.
“KORÇA BOOM”



















