“I kërkoj falje vëllait tim Pirros”, zbardhet deklarata e Odisea Dhimës pas arrestimit për trafikim
Odiseas Dimas, ish-trajneri i ekipit kombëtar grek të peshëngritjes dhe vëllai i kampionit olimpik Pirro Dhima, ka reaguar për herë të parë pas arrestimit në kuadër të hetimeve për trafikimin dhe furnizimin me substanca anabolike.
Në një deklaratë për televizionin grek MEGA, Dimas ka mohuar akuzat për dhënien e qëllimshme të substancave të ndaluara sportistëve, përfshirë edhe djalin e tij të mitur. Ai pretendon se ndaj tij është krijuar një fushatë dezinformimi.
“Prej dy vitesh kam ndaluar së trajnuari sportistë. Ndihem i shkatërruar nga dezinformimi ndaj meje, deri në atë pikë sa më akuzojnë se me qëllim i kam dhënë anabolikë djalit tim të mitur”, ka deklaruar Dimas.
Sa i përket rastit të djalit të tij, ai pretendon se është përdorur një suplement ushqimor i ligjshëm, në përbërjen e të cilit nuk ishte deklaruar substanca anabolike.
Sipas tij, një vendim gjyqësor e ka trajtuar rastin si pakujdesi dhe jo si veprim të qëllimshëm.
Dimas ka pretenduar gjithashtu se preparatet e gjetura në banesën e tij janë të ligjshme, me përjashtim të disa prej tyre, për të cilat thotë se do të dëshmojë se i përdor për arsye mjekësore.
Në fund të deklaratës, ai i ka kërkuar falje vëllait të tij, Pirro Dhimës, familjes dhe qytetarëve që e kanë mbështetur kampionin olimpik.
“Dua t’i kërkoj falje vëllait tim Pirro Dhima dhe familjes sime, të cilët i kam vendosur në një pozitë të vështirë për shkak të sjelljes sime të pamatur. Kërkoj falje edhe nga të gjithë qytetarët që e kanë dashur Pirro Dhimën”, ka thënë ai.
Odiseas Dimas, 58 vjeç, dyshohet për furnizim, ruajtje dhe tregtim të paligjshëm të substancave anabolike, ndërsa sipas hetimeve, këto preparate dyshohet se u janë dhënë edhe sportistëve të mitur.
Ish-trajneri është paraqitur para hetuesit, nga i cili ka kërkuar dhe ka marrë afat deri të hënën për të përgatitur mbrojtjen e tij. Deri atëherë, ai mbetet në paraburgim./tch
“KORÇA BOOM”
















