Mallra kontrabandë në Kapshticë/ Ja çfarë ka ndodhur!
Dega Doganore Kapshticë bllokon 2 tentativa për futjen e mallrave kontrabandë
Në vijim të intensifikimit të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e hyrjes së mallrave kontrabandë, strukturat e Degës Doganore Kapshticë, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë identifikuar dhe goditur brenda pak orëve dy raste të tentativës për kontrabandë me mallra të akcizës dhe shmangie të detyrimeve doganore për mallrat me natyrë tregtare, përmes mjeteve të transportit të udhëtarëve (autobusë).
Më konkretisht, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në mjetin autobus, shërbimet doganore dhe kufitare konstatuan mallra të fshehura dhe të padeklaruara, si steka cigaresh, duhan i grirë, çanta dore dhe mallra të tjera me natyrë tregtare.
Në rastin tjetër, gjatë vijimit të kontrolleve në vijën e dytë, shërbimet doganore bllokuan një tjetër autobus, ku u konstatua dhe u sekuestrua një sasi e konsiderueshme stekash cigaresh kontrabandë, të pajisura me pulla fiskale të huaja dhe të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore.
Materialet proceduriale i kaluan institucioneve kompetente për ndjekjen e mëtejshme ligjore.
Administrata Doganore mbetet e angazhuar maksimalisht në mbrojtjen e ekonomisë vendase, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe ndëshkimin e çdo tentative për kontrabandë.
“KORÇA BOOM”
















