Kampion në tapet dhe "Pishtar i Demokracisë", përkujtohet Artur Kreka
Sot përkujtohet në përvjetorin e ndarjes nga jeta Artur Kreka, një prej emrave të spikatur të mundjes klasike shqiptare, i cili la gjurmë të rëndësishme në sportin korçar, por edhe në zhvillimet demokratike të vendit.
Artur Kreka u ngjit në tapetin e mundjes që pa mbushur moshën 13-vjeçare, duke treguar që në hapat e parë talent dhe aftësi të veçanta sportive. Në vitin 1981 spikati në garat kombëtare, ndërsa në vitin 1983, në Shkodër, u shpall kampion kombëtar.
Gjatë karrierës së tij sportive, ai fitoi tre tituj kampion kombëtar, si dhe arriti rezultate të rëndësishme në kampionatet ekipore dhe Kupat e Republikës.
Së bashku me Arben Zhamon, Artur Kreka ishte ndër mundësit që kontribuuan në sukseset e ekipit të Skënderbeut dhe në përfaqësimin e mundjes korçare në nivel kombëtar.
Por kontributi i tij nuk u kufizua vetëm në sport. Artur Kreka ishte gjithashtu një Pishtar i Demokracisë, duke qenë pjesë e Lëvizjes së Dhjetorit, një prej momenteve më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, që shënoi nisjen e ndryshimeve demokratike në vend.
Kështu, emri i tij lidhet jo vetëm me sukseset sportive dhe titujt e fituar në tapetin e mundjes, por edhe me angazhimin në një periudhë historike për Shqipërinë.
Artur Kreka mbetet një figurë e kujtuar me respekt në Korçë, si sportist kampion dhe si një prej njerëzve që u bënë pjesë e Lëvizjes së Dhjetorit.
“KORÇA BOOM”
















