Mjegulla e dendur përfshin juglindjen, probleme në disa akse rrugore
Mjegulla e dendur ka përfshirë gjatë ditës së sotme disa zona të juglindjes së vendit, duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve në një sërë aksesh rrugore nacionale. Ulja e dukshmërisë ka krijuar vështirësi për drejtuesit e mjeteve, veçanërisht në segmentet ku mjegulla është më e përqendruar.
Situata më problematike paraqitet në aksin Korçë-Pogradec, konkretisht në segmentin nga fshati Libonik deri në Grabovicë, ku mjegulla është shfaqur me intensitet më të lartë.
Dukshmëri e kufizuar është evidentuar edhe në rrugën Voskop-Voskopojë, në segmentin Boboshticë-Dardhë, si dhe në disa pjesë të aksit Qafë Plloçë-Qukës dhe në majën e Qafë Thanës.
Përballë këtyre kushteve atmosferike, Policia Rrugore u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të ulin shpejtësinë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor.
Ndërkohë, Sektori i Qarkullimit Rrugor ka shtuar praninë e patrullave në segmentet ku mjegulla ka kufizuar dukshmërinë. Efektivët po monitorojnë situatën në terren, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës./ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















