Ilaçe të rrezikshme në treg, arrestohet 42-vjeçari që furnizonte farmacitë
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 1 min read
Goditet një rast i hedhjes në treg të ilaçeve të skaduara dhe të medikamenteve të futura kontrabandë, pa faturë tatimore. Policia finalizoi me sukses operacionin e koduar “Skadenca”, pas një hetimi disamujore të ndjekur me metoda speciale.
Si rezultat i operacionit, u arrestua në flagrancë një shtetas 42-vjeçar, i cili magazinonte në banesën e tij sasi të mëdha medikamentesh të ndryshme, një pjesë e konsiderueshme e të cilave ishin të skaduara, ndërsa pjesa tjetër pa faturë tatimore, që dyshohet se ishin futur kontrabandë. Këto ilaçe më pas hidheshin në treg, duke furnizuar farmaci të ndryshme në qytetin e Fierit.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit B. B., të lejuar me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1635 kuti me ilaçe të skaduara, si dhe 2654 kuti me ilaçe pa faturë tatimore.
Operacioni u organizua dhe u finalizua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat e siguruara gjatë hetimit disamujore.
Hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.
"KORCA BOOM"



















