Ilirian Selmani del nga gjykata i buzëqeshur dhe me pranga në duar/ Avokati: Nuk e ka pranuar autorësinë, ka shprehur keqardhje për viktimën
- Korca Boom
- Jul 31, 2025
- 2 min read
Me pranga në duar dhe një buzëqeshje ironike në fytyrë, Ilirjan Selmani, 31 vjeç, është shfaqur sot para Gjykatës së Korçës, ku u caktua masa e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e vrasjes së Kozeta Teços, 52 vjeçe, me të cilën dyshohet se kishte një lidhje intime.
Krimi ndodhi mëngjesin e 28 korrikut dhe ka tronditur opinionin publik për shkak të dinamikës dhe diferencës së madhe në moshë mes viktimës dhe të dyshuarit. Selmani, ndërsa doli nga ambientet e gjykatës, shikoi drejt kamerave të mediave pa dhënë asnjë deklaratë, ndërsa u shoqërua drejt furgonit të policisë.
Sipas njoftimit zyrtar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë, Selmani akuzohet për “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, vepër penale e parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal. Gjyqtarët vlerësuan si të ligjshëm arrestimin në flagrancë dhe vendosën masën e sigurisë më të rëndë – arrest në burg.
Nga seanca gjyqësore, u bë e ditur se i akuzuari nuk e ka pranuar krimin në asnjë moment. Avokati mbrojtës deklaroi se klienti i tij është i tronditur nga vdekja e Kozeta Teços, por mohon kategorikisht autorësinë e krimit, bashkëjetesën dhe lidhjen intime me viktimën. Sipas tij, marrëdhënia mes dy personave ishte vetëm një njohje shoqërore.
“Është një djalë i mirë, me personalitet të formuar, që nuk do të ishte në gjendje të kryente një krim kaq të rëndë,” – tha avokati. Ai shtoi se provat e paraqitura nga prokuroria nuk janë bërë ende publike për shkak të konfidencialitetit të hetimit, por mbrojtja nuk sheh asnjë element të provuar që e lidh Selmanin me aktin e rëndë penal.
Hetimet vijojnë, ndërsa prokuroria ka në dorë një sërë provash që do të administrohen në vijim për të zbardhur të vërtetën e plotë të ngjarjes që tronditi Korçën.
“KORÇA BOOM”



















