top of page

Ish-ministri paralajmëron: Rritja e naftës mund të godasë xhepat e qytetarëve

  • 3 days ago
  • 1 min read

Çmimi i naftës në Shqipëri ka pësuar rritje që prej nisjes së konflikteve në Iran, duke arritur sot nivelin deri në 202 lekë për litër. Shtrenjtimi ka ardhur pas sulmeve ndaj objekteve të prodhimit të hidrokarbureve, që kanë çuar çmimin ndërkombëtar të naftës bruto Brent në 109.18 dollarë për fuçi.


Ish-ministri i ekonomisë, Arben Malaj, paralajmëron se rritja mund të thellohet dhe kërkon ndërhyrje nga qeveria për të mbrojtur xhepat e qytetarëve.


“Problemi kryesor është se nuk dimë sa e gjatë dhe sa e thellë është kjo. Duhet paketë sociale sepse rritja e çmimit do të shkojë te fermeri, te shërbimet dhe konsumatori do ta ndjejë menjëherë. Prandaj qeveritë e mira përgatisin një paketë për çdo rast krize dhe sa po ndodh kriza e bëjnë funksionale”, u shpreh Malaj për Top Channel.


Profesori Malaj e konsideron krizën aktuale më shumë një luftë ekonomike sesa ushtarake dhe sugjeron që Shqipëria të ndjekë shembullin e shteteve të zhvilluara, të cilat kanë ofruar mbështetje direkte për qytetarët dhe transportin urban.


“Që nga rasti i Greqisë, që është afër nesh, çdo fitim i kompanive nga rritja e çmimit shkon në fond social për të mbështetur njerëzit që kanë nevojë. Gjermania, për shembull, ka dhënë ndihmë për transportin urban për punonjësit, pasi është rritur kostoja e transportit”, tha Malaj.


Edhe Konfindustria e naftës ka bërë thirrje që qeveria të zbatojë një paketë fiskale lehtësuese, duke përfshirë edhe uljen e taksës së qarkullimit të automjeteve, për të lehtësuar barrën mbi qytetarët dhe ekonominë e vendit.

"KORCA BOOM"


bottom of page