Ja kush është i dyshuari për vr*sje, më parë i dënuar me 5 vite burg në Britani
- 7 days ago
- 2 min read
Sokol Vata, 29-vjeçari i identifikuar nga Policia si autor i dyshuar i vrasjes së një shtetasi francez rreth 20 vjeç në Ksamil, rezulton të ketë pasur probleme të mëparshme me drejtësinë në Britaninë e Madhe.
Sipas një raportimi të BBC-së në vitin 2024, Vata ishte dënuar me 5 vite burg nga Gjykata e Kurorës në Cambridge, pasi kishte pranuar fajësinë për disa vepra penale që lidhen me trafikun e drogës dhe drejtimin e rrezikshëm të automjeteve.
Në prill 2024, ai ishte përfshirë në dy raste të ndjekjes nga policia britanike. Në një prej tyre, Vata nuk iu bind urdhrit për të ndaluar dhe automjeti që drejtonte, me targa të klonuara, u përmbys gjatë ndjekjes. Ai arriti të largohej, ndërsa brenda automjetit policia gjeti qese me kokainë dhe targa të tjera.
Vetëm 17 ditë më vonë, ai u përfshi në një tjetër ndjekje policore në Cambridge. Policia kishte lokalizuar një Toyota RAV4 të raportuar të vjedhur. Sipas autoriteteve britanike, Vata u largua me shpejtësi sapo efektivët iu afruan dhe gjatë arratisjes hodhi një pako me kokainë në një shkurre.
Ai u gjet më vonë i fshehur në oborrin e pasmë të një banese. Në automjet u sekuestruan targa të tjera, ndërsa në xhepat e tij u gjetën 560 paund. Testet zbuluan gjithashtu se kishte drejtuar automjetin nën efektin e drogës.
Në shtator 2024, Gjykata e Kurorës në Cambridge e dënoi me 5 vite burg. Vata kishte pranuar fajësinë për dy akuza për posedim të drogave të klasës A me qëllim shpërndarjen, dy akuza për drejtim të rrezikshëm, posedim kanabisi dhe drejtim automjeti nën efektin e drogës.
Tashmë emri i tij është rikthyer në vëmendje në lidhje me një ngjarje të rëndë në Shqipëri. Rreth orës 05:15, një shtetas francez rreth 20 vjeç u gjet pa shenja jete në shezlongët e një plazhi, pranë një lokali.
Sipas Policisë, i riu dyshohet se është goditur me thikë gjatë një konflikti për motive të dobëta. Sokol Vata, 29 vjeç, banues në Has, është identifikuar si i dyshuari kryesor dhe është shpallur në kërkim.
Policia vijon kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Deri në përfundim të hetimeve dhe një vendimi gjyqësor, Vata mbetet i dyshuar për ngjarjen në Ksamil dhe nuk është i dënuar për këtë vrasje.
“KORÇA BOOM”
















