Ja vendimi i Spitali Rajonal i Korçës për kirurgun e arrestuar
- May 11
- 1 min read
Spitali Rajonal i Korçës ka reaguar zyrtarisht pas arrestimit të kirurgut Nikolla Nunka, i akuzuar për ngacmim seksual ndaj një pacienteje 21-vjeçare.
Përmes një komunikimi zyrtar, përfaqësues të spitalit bëjnë me dije se mjeku do të jetë i pezulluar nga detyra deri në sqarimin e plotë të ngjarjes dhe përfundimin e hetimeve nga organet kompetente.
“Deri në sqarimin e situatës dhe përfundimin e hetimeve, mjeku Nikolla Nunka do të jetë i pezulluar nga detyra”, thuhet në reagimin e institucionit shëndetësor, pa dhënë komente të mëtejshme mbi dinamikën e rastit.
Ndërkohë, burime pranë spitalit bëjnë të ditur se e reja ka marrë mjekimin e nevojshëm dhe më pas është larguar nga ambientet e spitalit.
Sipas informacioneve, 21-vjeçarja i ka rrëfyer familjes episodin e ndodhur dhe më pas është bërë kallëzimi në Komisariat. Babai i saj ka deklaruar se do ta ndjekë çështjen deri në fund, pavarësisht se jeton dhe punon në Gjermani si emigrant ekonomik.
Ai ka kërkuar drejtësi për vajzën e tij, ndërsa ka treguar edhe pretendimet mbi rrethanat e ngjarjes, duke akuzuar kirurgun se ka prekur 21-vjeçaren në pjesët intime dhe ka tentuar ta puthë me forcë.
“KORÇA BOOM”
















