KAOS/ Kamioni del nga kontrolli dhe përplas 23 makina, dhjetëra të plagosur
- Jun 2
- 1 min read
Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e së martës në qytetin Antibes të Francës, ku një kamion doli nga kontrolli dhe u përplas me të paktën 23 automjete, duke shkaktuar plagosjen e 37 personave.
Mes të lënduarve raportohet se ndodhen edhe tre efektivë policie. Sipas të dhënave paraprake, shoferi i kamionit dyshohet se është përgjumur në timon, çka mund të ketë sjellë humbjen e kontrollit të mjetit dhe përplasjen masive.
Menjëherë pas ngjarjes, autoritetet ndërhynë dhe arrestuan drejtuesin e kamionit për të vijuar hetimet mbi shkaqet e aksidentit.
Përplasja ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në shumë prej automjeteve të përfshira, ndërsa ekipet e emergjencës kanë nisur një operacion të gjerë për të ndihmuar personat që mbetën të bllokuar brenda makinave.
Në vendngjarje u angazhuan rreth 40 zjarrfikës me 18 mjete zjarrfikëse, ambulanca dhe forca të shumta policie. Deri tani nuk raportohet për viktima, ndërsa të plagosurit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
“KORÇA BOOM”
















