Kolegji i Shën Athanasit, themeli i identitetit fetar dhe kulturor të arbëreshëve
- Korca Boom
- 4 days ago
- 2 min read
Kolegji Papnor Grek i Shën Athanasit përbën një nga institucionet më të rëndësishme fetare dhe kulturore në historinë e arbëreshëve, duke luajtur një rol vendimtar në ruajtjen e identitetit historik, gjuhësor dhe fetar të kësaj pakice shqiptare në Itali.
Institucioni u themelua në Romë në vitin 1577 nga Papa Gregori XIII, si kolegj dhe seminar për formimin e klerikëve të komuniteteve shqiptare të Italisë së Jugut, të njohur si arbëreshë. Ai u quajt “Grek” jo për shkak të përkatësisë etnike të studentëve, por për të përcaktuar ritin liturgjik që ndiqej, atë lindor-bizantin, në dallim nga riti romano-latin.
Komunitetet arbëreshe, të cilat praktikonin ritin bizantin, kishin kërkuar prej kohësh nga Selia e Shenjtë krijimin e një institucioni që të respektonte traditat e tyre fetare. Me kalimin e kohës, Kolegji i Shën Athanasit u shndërrua në një qendër ndërkombëtare, duke pritur seminaristë jo vetëm arbëreshë, por edhe nga Levanti dhe nga vende të ndryshme të Mesdheut ku ishte i përhapur riti bizantin. Në radhët e tij kanë studiuar seminaristë të etnive të ndryshme, si: arabë, melkitë, hungarezë, sllovakë, shqiptarë nga Shqipëria, grekë, rumunë, bullgarë, bjellorusë, çekë, ukrainas dhe rutenë. Kolegji ka mirëpritur gjithashtu edhe përfaqësues të botës ortodokse.
Kisha e Shën Athanasit, e vendosur në Via del Babuino 149 në Romë, mbetet edhe sot kisha kryesore e komunitetit italo-shqiptar në kryeqytet dhe në rajonin e Lacios, si dhe një qendër shpirtërore për të gjitha komunitetet që ndjekin ritin bizantin.
Me dekret papnor të 13 janarit 1576, Papa Gregori XIII e konceptoi Kolegjin si një institucion që do të formonte klerin e komuniteteve shqiptare të Italisë, të cilat pas pushtimit osman të shekullit XV u detyruan të emigronin nga territoret e Ballkanit dhe Moreas drejt Italisë së Jugut. Meshtarët e formuar në këtë kolegj kishin për mision edhe kundërshtimin e zgjerimit osman, frenimin e përhapjes së Reformës Protestante dhe nxitjen e bashkimit të Kishave Lindore me Romën.
Në periudha të ndryshme historike, Kolegji është administruar nga Kuria Romane, Urdhëri i Domenikanëve, Jezuitët, Propaganda Fide dhe më pas nga Urdhëri Benediktin. Për një kohë të gjatë, seminaristët që ndiqnin ritin bizantin refuzonin praktikimin e ritit latin, çka shkaktoi përplasje të vazhdueshme. Kjo situatë u zgjidh nga Papa Leoni XIII, i cili njohu vlefshmërinë e të dy riteve dhe theksoi se ato mund të praktikoheshin në kushte barazie brenda kishës së Shën Athanasit.
Në ditët e sotme, Kolegji i Shën Athanasit vazhdon misionin e tij, duke pritur studentë nga eparkitë e Lindjes së Mesme, si Siria, Libani, Izraeli, Palestina, Jordania, Iraku dhe Egjipti, si edhe nga vendet e Ballkanit dhe Evropës Lindore, përfshirë Shqipërinë, Greqinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Rumaninë, Serbinë, Kroacinë, Sllovakinë, Hungarinë, Bjellorusinë, Rusinë dhe Ukrainën.
Kolegji i Shën Athanasit mbetet kështu një simbol i qëndrueshmërisë shpirtërore dhe kulturore të arbëreshëve dhe një urë lidhëse mes Lindjes dhe Perëndimit kristian.
"KORCA BOOM"



















